Transmetuar më 10-07-2026, 14:25

TIRANË, 10 Korrik 2026 – Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka rrëzuar kërkesat e dhjetë ish-komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për t’u emëruar drejtpërdrejt si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Ish-zyrtarët e strukturave të vettingut, mes të cilëve përfshihet edhe Pamela Qirko, motra e ish-ministres Belinda Balluku, kërkuan emërimin në apel pa iu nënshtruar procesit të kalimit në filtër të vettingut, pavarësisht se përgjatë veprimtarisë së tyre kanë skanuar mbi 900 gjyqtarë dhe prokurorë në Republikën e Shqipërisë.

Kërkesa e ish-anëtarëve të KPK-së konsiderohet paradoksale, pasi me vendimet e tyre ata kanë larguar nga sistemi me dhjetëra magjistratë për shkelje të kritereve të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, ndërsa vetë synonin të futeshin në sistemin gjyqësor pa u verifikuar sipas të njëjtave standarde.

Gjatë Mbledhjes Plenare të zhvilluar këtë të premte, KLGJ vendosi rrëzimin zyrtar të kërkesave për caktimin në pozicionin e gjyqtarit të Apelit për shtetasit: Suela Zhegu, Firdes Shuli, Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional për vitin 2024 të gjyqtares Brunilda Kadi, vendosi zgjatjen e afatit dhe ricaktimin e gjyqtarit Sokol Ibi në Gjykatën Administrative të Apelit, si dhe hodhi shortin për caktimin e relatorit në procedimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjirokastrës, Suela Dashi. Ndërkohë, u shty shqyrtimi i vlerësimit për gjyqtarin Adrian Shega dhe projektvendimi për rishpërndarjen e fondeve buxhetore të gjykatave për vitin 2026.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit