Transmetuar më 10-07-2026, 13:30

TIRANË, 10 Korrik 2026 – Familja Mbretërore Shqiptare është zgjeruar me një anëtar të ri, pas ardhjes në jetë të Princit Aleksandër. Lindja e trashëgimtarit ka sjellë gëzim të madh te familjarët, të afërmit dhe mbështetësit e monarkisë në vend.

Lajmi i gëzuar është bërë i ditur publikisht përmes një njoftimi të Erion Telit, ish-drejtorit të komunikimit të Familjes Mbretërore. Përmes një mesazhi emocionues, ai ka përcjellë urimet më të përzemërta për Princin Leka dhe Princeshën Blerta për lindjen e djalit të tyre, duke shprehur edhe padurimin e komunitetit monarkist gjatë orëve të pritjes që prej mëngjesit të sotëm.

Në urimin e tij publik, ish-drejtori i komunikimit ka vlerësuar mirësinë, përulësinë dhe qetësinë e treguar nga Princesha Blerta, duke u shprehur mirënjohës në emër të të gjithë ndjekësve të familjes për këtë moment historik. Mesazhi mbyllet me bekimet për trashëgimtarin e ri: “Mirë se erdhe në jetë, Lartësia e Tij Mbretërore, Princ Aleksandër! Zoti e bekoftë Familjen Mbretërore Shqiptare”.

Postimi i Plotë 

Princi Aleksandër i shqiptareve sapo u lind… Që nga ora 5:30 e mëngjesit e kam parë orën pa pushim. Sot është një nga ato ditë që fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar gëzimin. Mbrëmë, në lutjen time, i kërkova Perëndisë ta bekonte Princeshën Blerta, t’ia lehtësonte çdo çast të kësaj dite dhe të ishte pranë saj. Sot besoj se Ai e dëgjoi atë lutje. Në këtë ditë kaq të veçantë dua t’i them vetëm një gjë Princeshës sonë: Faleminderit. Faleminderit që na ke duruar ne, monarkistëve, me gjithë padurimin, emocionet dhe dashurinë tonë për Familjen Mbretërore. Gjithmonë na ke pritur me mirësi, përulësi dhe një buzëqeshje që na ka bërë të ndihemi si pjesë e kësaj gëzimi. Thonë se fytyra është pasqyra e shpirtit. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë fytyra jote është fytyra e një engjëlli. Mirësia, qetësia dhe dashuria që përcjell janë dhurata që nuk mund të shtiren. Sot jo vetëm Princi Leka, por të gjithë ne ndihemi të bekuar që të kemi pranë si Princeshën tonë. Mirë se erdhe në jetë, Lartësia e Tij Mbretërore, Princ Aleksandër! Zoti e bekoftë Familjen Mbretërore Shqiptare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit