

FIER, 10 Korrik 2026 – Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka ndryshuar masat e sigurisë për tri vajzat e përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje, ngjarje kjo që shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.
Pas vlerësimit të provave dhe ecurisë së hetimeve, trupi gjykues ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për njërën prej të dyshuarave, një vajzë e moshës 19-vjeçare, e cila do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të plotë të hetimeve. Për sa i përket të dyshuarës tjetër, një e mitur e moshës 15-vjeçare, gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, për të miturën e tretë të përfshirë në këtë ngjarje, gjykata ka vendosur masën e mjekimit të detyruar. Ky vendim erdhi pasi nga verifikimet dhe ekspertizat e kryera gjatë fazës hetimore rezultoi se ajo shfaqte probleme të shëndetit mendor, ku përveç dhunës ndaj bashkëmoshatares, ishte dokumentuar edhe një konflikt ku ajo kishte dhunuar nënën e saj.
Ky procedim penal nisi pas publikimit të pamjeve filmike në rrjetet sociale, ku shfaqej dhuna barbare ndaj 17-vjeçares. Sipas dëshmive të familjarëve, viktima u dërgua fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me hematoma dhe shenja të rënda dhune në trup. Familja e të dëmtuarës ka ngritur gjithashtu pretendime ndaj bluzave të bardha, duke argumentuar se institucioni shëndetësor ka neglizhuar detyrimin ligjor për të njoftuar menjëherë organet e policisë pas konstatimit të shenjave të dhunës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






