

TIRANË, 10 Korrik 2026 – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin fajtor për pesë anëtarë të rrjeteve kriminale të përfshirë në dosjen e njohur si "Revanshi", duke i dënuar ata në total me 31 vite e 4 muaj burgim. Të pandehurit përfituan nga mekanizmi i gjykimit të shkurtuar, çka solli uljen e masës fillestare të dënimit me një të tretën.
Sipas vendimit të gjykatës, masat e dënimit të konvertuara janë si më poshtë:
Armando Ndreca – u dënua përfundimisht me 7 vite e 4 muaj burg (nga 11 vite dënim fillestar).
Adrian Pikli (ish-efektivi i forcave speciale RENEA) – u dënua përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg (nga 10 vite dënim fillestar).
Devis Bajramaj – u dënua përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg (nga 10 vite dënim fillestar).
Elvis Ndreca (djali i xhaxhait të ish-deputetit E. Ndreca) – u dënua përfundimisht me 5 vite e 4 muaj burg (nga 8 vite dënim fillestar).
Edison Muceku – u dënua përfundimisht me 5 vite e 4 muaj burg (nga 8 vite dënim fillestar).
Sipas hetimeve të thelluara të SPAK, struktura e posaçme provoi fajësinë e të dënuarve për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë sigurimin e mjeteve për kryerjen e vrasjeve, tregtinë e paligjshme të armëve të zjarrit e municioneve, kultivimin e bimëve narkotike dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Në dosjen hetimore dokumentohet se gjatë vitit 2020, të pandehurit kanë pasur role specifike në sigurimin e kushteve për atentate ndaj eksponentëve të krimit, si Durim Bami, Ervin Kodra dhe Hamza Terziu. Gjithashtu, Armando Ndreca u provua si financues dhe organizator i një rrjeti që prodhoi dhe shiti 243 kilogramë kanabis në Lezhë, ndërsa ish-efektivi Pikli dhe Bajramaj kryenin shitje armësh për llogari të personave me precedentë penalë.
Operacioni "Revanshi", i finalizuar në maj të vitit 2024, goditi shtatë grupe të strukturuara kriminale që vepronin në aleanca dhe konflikte të hapur mes tyre në zonat e Tiranës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, ku u përfshinë emra të njohur të botës së krimit si Ervis Martinaj, Arben Ndoka dhe Durim Bami. Ky procedim çoi në lëshimin e 50 urdhër-arresteve, sekuestrimin e pasurive me vlerë 4.5 milionë euro, si dhe bllokimin e rreth 3 milionë eurove cash të gjetura në banesën e shtetasit Ervis Doçi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






