

BERAT, 10 Korrik 2026 – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka kërkuar caktimin e masave të sigurisë "Arrest në shtëpi" dhe "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" për 11 persona. Ata akuzohen për veprën penale "Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare", pas një hetimi proaktiv gjashtëmujor të shtrirë në pesë bashki të qarkut.
Sipas organit të akuzës, personat nën hetim, me inicialet S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V., Z.M., E.T. dhe K.P., administronin ose punonin në gjashtë subjekte tregtare të regjistruara me fushë veprimtarie si agjentë për transfertat e parave në emër të institucioneve financiare jobankare (si Unionnet dhe Western Union) në Berat dhe Kuçovë. Megjithatë, nga verifikimet ka rezultuar se këto pika kryenin edhe këmbim valutor pa qenë të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Për të dokumentuar këtë aktivitet të paligjshëm, Prokuroria autorizoi kryerjen e veprimeve stimuluese dhe regjistrimeve të fshehta fotografike e filmike. Gjatë operacionit u realizuan 28 transaksione të simuluara këmbimi valutor, duke provuar konsumimin e veprës penale.
Në kuadër të kontrolleve të ushtruara në funksion të këtij procedimi penal (nr. 47), strukturat ligjzbatuese gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma të konsiderueshme monetare, të cilat arrijnë në:
88 milionë lekë;
118 mijë euro;
7,390 dollarë;
665 paund.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






