Transmetuar më 10-07-2026, 08:48

LAÇ, 10 Korrik 2026 – Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë i regjistruar mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Erdogan” në Laç, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ndaj viktimës, i cili njihej gjithashtu edhe me tre mbiemra të tjerë (Kokaj, Lika dhe Nure), është qëlluar me një breshëri prej shtatë plumbash.

Dinamika e ngjarjes tregon se autorët kanë hapur zjarr menjëherë pasi 40-vjeçari ka parkuar automjetin e tij dhe po lëvizte në drejtim të hyrjes së pallatit ku banonte. Edhe pse ka tentuar t’u shpëtojë plumbave duke u larguar me vrap, ai është ndjekur nga atentatorët, të cilët e kanë qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës. Plagët e marra kanë qenë të rënda dhe Gjini ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.

Menjëherë pas krimit, forca të shumta policore kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli në akset kryesore dhe kanë shoqëruar disa persona që po merren në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e rrethanave. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të skenës së krimit, ku si pistë kryesore po vlerësohet e kaluara e viktimës dhe konfliktet e tij të mundshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit