Transmetuar më 10-07-2026, 07:47

TIRANË, 10 korrik 2026 – Tregu i punës në Shqipëri regjistroi një rritje të kërkesës për punonjës gjatë vitit 2025, me bizneset që shpallën 68,860 vende të lira pune, ose 12% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), nevoja më e madhe e tregut ishte për profesionet elementare, të cilat përbënin 29.9% të totalit të vendeve të lira të punës.

Pas tyre renditen zanatçinjtë dhe profesionet e lidhura me to, me 23.7%, punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve me 15.9%, si dhe punonjësit në industri me 10.5% të kërkesës totale.

Ndërkohë, profesionet që kërkojnë arsim të lartë dhe kualifikime të specializuara zënë një peshë më të vogël në tregun e punës. Sipas AKPA-së, specialistët me arsim të lartë përfaqësojnë 6.4% të vendeve të shpallura, ndërsa teknikët dhe specialistët e mesëm përbëjnë 5.3%.

Të dhënat tregojnë se struktura e kërkesës gjatë vitit 2025 vazhdoi të favorizojë profesionet që kërkojnë aftësi bazë dhe zanate, duke reflektuar nevojat aktuale të ekonomisë dhe orientimin e strategjive të punësimit.

Gjatë vitit, 9,690 subjekte shpallën vende të lira pune përmes Zyrave të Punësimit. Rajonet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës përqendruan rreth 60% të të gjitha shpalljeve, ndërsa Kukësi, Dibra dhe Berati regjistruan numrin më të ulët të vendeve të ofruara.

Sipas analizës sektoriale, industria përpunuese mbetet sektori me kërkesën më të lartë për punonjës, duke zënë 25.5% të totalit të vendeve të lira. Pas saj renditen akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 17.7%, tregtia me shumicë dhe pakicë, së bashku me riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me 14.7%, aktivitetet e tjera të shërbimit me 12.1%, si dhe ndërtimi me 10.6%.

Në krahasim me vitin 2024, industria përpunuese shënoi një rënie prej rreth 3% të vendeve të shpallura, ndërsa sektori i ndërtimit regjistroi një rritje prej 2%, duke reflektuar ndryshimet në kërkesën për fuqi punëtore dhe dinamikën e tregut të punës në vend.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit