Transmetuar më 10-07-2026, 07:39

TIRANË, 10 korrik 2026 – Përveç kostos së lartë të ushqimeve dhe produkteve të tjera të konsumit, shqiptarët paguajnë mbi mesataren e Bashkimit Europian edhe për shërbimet e komunikimit dhe internetit.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga revista ekonomike Monitor, indeksi i çmimeve sipas fuqisë blerëse për sektorin e informacionit dhe komunikimit në Shqipëri arriti në 107.6% të mesatares së Bashkimit Europian gjatë vitit 2025. Kjo nënkupton se konsumatorët shqiptarë paguajnë mesatarisht 7.6% më shumë se qytetarët e vendeve të BE-së për shërbimet e telefonisë fikse, telefonisë celulare dhe internetit, kur matja bëhet sipas barazisë së fuqisë blerëse.

Të dhënat tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së çmimeve në këtë sektor. Në vitin 2022, shërbimet e komunikimit në Shqipëri ishin rreth 9% më të lira se mesatarja europiane, ndërsa në vitin 2023 indeksi kaloi për herë të parë nivelin e BE-së, duke arritur në 100.5%. Rritja vijoi në 103.1% gjatë vitit 2024 dhe kulmoi në 107.6% në vitin 2025.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria rezulton vendi me nivelin më të lartë të çmimeve për komunikimin. Pas saj renditen Mali i Zi me 106.1%, Serbia me 102.7% dhe Bosnjë-Hercegovina me 99.9%, ndërsa Maqedonia e Veriut paraqet nivelin më të ulët në rajon, me 84.9% të mesatares së BE-së. Për Kosovën nuk janë publikuar të dhëna.

Në nivel europian, shërbimet më të shtrenjta të komunikimit regjistrohen në Zvicër (167%), Norvegji (164.1%), Islandë (151.6%), Belgjikë (146.3%) dhe Suedi (137.5%). Ndërsa vendet me kostot më të ulëta janë Rumania (56.1%), Polonia (67.6%) dhe Turqia (70.2%).

Interneti mbetet shërbimi më i kushtueshëm

Edhe vlerësimet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) konfirmojnë se interneti mbetet shërbimi më pak i përballueshëm për qytetarët shqiptarë.

Në raportin vjetor për vitin 2025, AKEP, duke përdorur metodologjinë e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), vlerëson përballueshmërinë e shërbimeve elektronike në raport me të ardhurat kombëtare bruto për frymë (GNI). Sipas kësaj metodologjie, kufiri i përballueshmërisë për shërbimet bazë është 2% e GNI-së për frymë.

Të dhënat tregojnë se kostoja mesatare mujore e internetit me brez të gjerë celular në Shqipëri përfaqëson 1.69% të të ardhurave mujore bruto, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor dhe mbi mesataren botërore prej 1.38%.

Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut me 1.31%, Bosnjë-Hercegovina me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia me 0.96% të GNI-së. ITU nuk publikon të dhëna për Kosovën.

Shqipëria paraqitet gjithashtu ndër vendet me kostot më të larta në rajon edhe për paketat e komunikimit me përdorim të lartë, të cilat përfshijnë 140 minuta telefonata, 20 SMS dhe 5 GB internet. Kostoja e kësaj pakete arrin në 1.95% të GNI-së, duke e renditur vendin të dytin në Ballkanin Perëndimor, pas Maqedonisë së Veriut (2.1%), ndërsa pasojnë Bosnjë-Hercegovina (1.86%), Serbia (1.49%) dhe Mali i Zi (1.01%).

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit