

Detaje të reja janë bërë publike mbrëmjen e sotme në lidhje me hetimet për rastin e dhunës ndaj një 17-vjeçareje në Fier.
Në emisionin "Top Story", u tha se, përveç ngjarjes së denoncuar fillimisht, hetimet mund të zbardhin edhe episode të tjera të dyshuara për shantazh dhe përfitime të paligjshme.
Sipas raportimit, disa prej vajzave të përfshira në çështje dyshohet se kanë ftuar në një hotel një punonjës policie, ku më pas pretendohet se e kanë fotografuar dhe filmuar, duke e përdorur materialin për ta kërcënuar për përfitime financiare.
"Polici ishte ftuar nga vajzat, të cilat i kishin dhënë vendndodhjen e një hoteli. Aty dyshohet se i kanë bërë foto dhe video dhe më pas e kanë shantazhuar duke i kërkuar para", raportoi Top Story.
Sipas informacioneve që disponohen, nuk ka pasur marrëdhënie intime në këtë rast, por pretendohet se personi është vënë nën presion përmes materialeve të regjistruara.
Dyshohet se vajzat, së bashku me persona të tjerë, përfshirë të dashurit e tyre, mund të kenë qenë pjesë e një skeme më të gjerë shantazhi.
Sakaq prokuroria pritet të hetojë edhe raste të tjera të mundshme. Nëse këto fakte do të provohen, mund të ketë akuza të reja nga organi i akuzës.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






