

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku pretendohet se disa punonjës të saj në Sarandë dëgjohen duke bërë komente me përmbajtje jo etike ndaj dy turisteve të huaja.
Në një njoftim zyrtar, AMP bëri të ditur se ka vendosur pezullimin e përkohshëm nga detyra të punonjësve që dyshohet se shfaqen në video, ndërsa ka nisur procedimin disiplinor për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.
Sipas agjencisë, po kryhen veprimet e para procedurale dhe materialet e mbledhura do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme sipas kompetencës.
AMP sqaroi gjithashtu se punonjësit e saj ndodheshin në Sarandë më 11 qershor 2026, së bashku me efektivë të Policisë së Shtetit, në kuadër të zbatimit të një urdhri kontrolli të lëshuar nga prokurori mbi bazën e një vendimi gjykate.
Kontrolli lidhej me banesën e punonjësit të policisë Ajdin Islamaj, i cili, sipas njoftimit të AMP-së, është person nën hetim në kuadër të një procedimi penal për veprën "Shpërdorimi i detyrës" dhe ndaj të cilit është caktuar masë sigurimi.
Agjencia bëri me dije se gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, punonjësi i policisë fillimisht kishte kundërshtuar dhe kishte refuzuar hapjen e derës së banesës.
AMP theksoi se procedimi disiplinor dhe veprimet procedurale do të vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme të personave të përfshirë në videon e publikuar.
Njoftimi i AMP:
Lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën pretendohet se janë të përfshirë disa punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në qytetin e Sarandës, ju informojmë si më poshtë:
Në datë 11.06.2026, punonjësit e AMP-së ndodheshin në qytetin e Sarandës, së bashku me punonjës të Policisë së Shtetit, në kuadër të zbatimit të urdhrit të prokurorit, të nxjerrë mbi bazën e vendimit të gjykatës, për kontrollin e banesës së punonjësit të policisë Ajdin Islamaj.
Shtetasi në fjalë është person nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndaj të cilit është caktuar masë sigurimi. Gjatë veprimeve për ekzekutimin e urdhrit të kontrollit, punonjësi i policisë fillimisht ka kundërshtuar dhe ka refuzuar të hapë derën e banesës për ushtrimin e kontrollit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka marrë masën e pezullimit të përkohshëm të punonjësve të pretenduar si të përfshirë në video dhe ka nisur procedimin disiplinor për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Njëkohësisht, po kryhen veprimet e para procedurale dhe materialet përkatëse do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme sipas kompetencës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






