

Dy vite pas vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga, Prokuroria pranë Gjykatës së Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj pesë personave të akuzuar për përfshirje në ngjarje.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka ngritur akuzën e "vrasjes me dashje, të kryer në bashkëpunim" ndaj Denis Meçes dhe Leonidha Guçes.
Ndërkohë, Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku akuzohen për moskallëzim të krimit dhe për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, vepra penale që, sipas Prokurorisë, janë kryer në bashkëpunim.
Për dy të pandehurit kryesorë, Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë "arrest në shtëpi", ndërsa tre personat e tjerë vijojnë procesin nën masën "detyrim paraqitjeje".
Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, Egli Proga humbi jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale të shkaktuar nga goditja në kokë. Prokuroria ka mbështetur akuzën mbi rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, dëshmitë e marra gjatë hetimit, pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes dhe prova të tjera të administruara në dosje.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 gushtit 2024 në qytetin e Pogradecit dhe shkaktoi reagime të forta publike. Fillimisht çështja u hetua me një tjetër kualifikim penal, por pas administrimit të provave të reja dhe përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore, akuza u rikualifikua në "vrasje me dashje".
Gjatë këtyre dy viteve, familjarët e Egli Progës kanë zhvilluar protesta dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ata kanë kërkuar që hetimi të përfshijë jo vetëm autorët e dyshuar, por edhe mënyrën e reagimit të institucioneve, veçanërisht të strukturave lokale të policisë, në orët e para pas ngjarjes.
Me përfundimin e hetimeve paraprake dhe kalimin e çështjes në gjykatë, pritet që procesi gjyqësor të nisë në javët në vijim, ku do të shqyrtohen provat e administruara nga Prokuroria dhe pretendimet e palëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






