Transmetuar më 09-07-2026, 21:01

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka zbuluar se komunikimi i saj me kryeministrin Edi Rama erdhi vetëm tre ditë pasi kishte vendosur të largohej nga grupi parlamentar i PS-së dhe të vijonte mandatin si deputete e pavarur.

Në një intervistë për emisionin "Now" në Euronews Albania, Koçeku tha se zgjodhi të mos kontaktonte menjëherë me kreun e qeverisë, në mënyrë që vendimi i saj të mos ndikohej nga askush.

"Me kryeministrin Rama kam komunikuar tre ditë pasi e kam marrë vendimin. Ky ishte një vendim personal, që të mos kishte asnjë hapësirë ndikimi mbi atë që kisha vendosur të bëja dhe të thosha. Vetëm pas tre ditësh iu përgjigja telefonatave dhe mesazheve të tij", u shpreh ajo.

Koçeku theksoi se nuk dëshiron të bëjë publike përmbajtjen e plotë të bisedës, pasi e konsideron atë private. Megjithatë, ajo zbuloi se Rama e kishte paralajmëruar se pas këtij vendimi do të mbetej e vetme.

"Sipas tij, do të mbetem vetëm dhe nuk do të më besojë askush pas këtij akti, as njerëzit e mi të maleve prej nga vij. Unë ia kam konfirmuar dhe vazhdoj t’ua konfirmoj të gjithëve se nuk do të mbetem vetëm. Jam mësuar të jem e pavarur, është pjesë e karakterit tim dhe nuk tërhiqem. Nuk ka kthim pas në këtë vendim", deklaroi ish-deputetja.

Marjana Koçeku njoftoi më herët largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke vendosur të ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit