

Pas javësh spekulimesh rreth vdekjes së aktores turke Ece Irtem, autoritetet kanë publikuar rezultatet përfundimtare të autopsisë, duke konfirmuar shkakun zyrtar të ndarjes së saj nga jeta.
Aktorja 35-vjeçare, e njohur për interpretimin e personazhit Isil në serialin "Kizilcik Serbeti", ndërroi jetë disa javë më parë. Fillimisht u raportua se kishte pësuar një atak kardiak, ndërsa më pas në mediat turke qarkulluan dyshime se vdekja mund të kishte lidhje me një kafshim majmuni gjatë një udhëtimi në Tajlandë.
Megjithatë, hetimet e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Turqi dhe rezultatet e autopsisë përfundimtare konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte helmimi nga alkooli etilik (etanoli).
Sipas raportit mjeko-ligjor, në gjakun e aktores u konstatua një përqendrim shumë i lartë alkooli, rreth 395 mg/dl. Ekspertët arritën në përfundimin se vdekja ishte pasojë e helmimit nga etanoli, duke përjashtuar çdo lidhje me teoritë e ngritura më herët.
Familja e aktores kishte kërkuar që hetimet të përfshinin edhe mundësinë e komplikacioneve nga një kafshim majmuni, pasi në krahun e saj ishin vënë re shenja pas kthimit nga pushimet në Tajlandë. Për këtë arsye, autopsia u shoqërua edhe me analiza shtesë për të përjashtuar infeksione të mundshme.
Nëna e Ece Irtem kishte deklaruar se një natë para ngjarjes tragjike, ajo dhe vajza e saj kishin marrë pjesë në një festë ditëlindjeje, ku aktorja kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Sipas saj, Irtem ishte gjithashtu në trajtim me medikamente kundër depresionit.
Ajo rrëfeu se mëngjesin pas festës e kishte gjetur të bijën pa shenja jete.
Me publikimin e raportit përfundimtar të autopsisë, autoritetet turke kanë mbyllur hetimet mbi shkakun e vdekjes së aktores, duke përjashtuar zyrtarisht pistën që e lidhte ngjarjen me kafshimin e një majmuni.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






