

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria synon të zgjerojë bashkëpunimin me Turqinë në industrinë e mbrojtjes, ndërsa e cilësoi marrëdhënien me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan si "vëllazërore" dhe partneritetin mes dy vendeve si strategjik.
Në një intervistë për **CNN Türk**, Rama u ndal te rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet Shqipëri–Turqi, situata në Ballkan, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, si edhe zhvillimet në sektorin e turizmit.
Duke komentuar Samitin e NATO-s, kryeministri tha se takimi konfirmoi vendosmërinë e aleancës për të forcuar kapacitetet ushtarake dhe për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.
"Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve", u shpreh Rama.
Ai vlerësoi gjithashtu organizimin e samitit nga Turqia, duke theksuar mikpritjen dhe profesionalizmin e autoriteteve turke.
Sa i përket marrëdhënies me presidentin Recep Tayyip Erdogan, Rama tha se ajo bazohet në besim dhe bashkëpunim të ngushtë.
"Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i afërt dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik", deklaroi kryeministri.
Sipas tij, Erdogan mbetet një aktor i rëndësishëm për zhvillimet në Ballkan dhe është i angazhuar në nismat për paqe dhe stabilitet në rajon.
Rama konfirmoi gjithashtu se Shqipëria pritet të presë Samitin e ardhshëm të NATO-s, duke sqaruar se, edhe pse kjo nuk është përfshirë në komunikatën përfundimtare, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës e ka bërë publik këtë plan dhe tashmë kanë mbetur vetëm procedurat organizative.
Në lidhje me bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, kryeministri tha se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe shprehu dëshirën që kompani të tjera turke të investojnë në Shqipëri.
"Do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të zhvillonin aktivitetet dhe produktet e tyre në Shqipëri", tha ai.
I pyetur për Platformën e Paqes në Ballkan, Rama theksoi se organizimi i një samiti të liderëve në kuadër të kësaj nisme do të varet nga vendimmarrja e presidentit Erdogan.
Në intervistë, kreu i qeverisë komentoi edhe debatet mbi projektin turistik në zonën e Zvernecit, duke sqaruar se ende nuk ka një projekt përfundimtar. Ai shtoi se çdo vendim do të mbështetet në vlerësimet e ekspertëve dhe jo në debatet politike.
Në fund, i pyetur për atletet e bardha që shpesh kanë tërhequr vëmendje në samitet ndërkombëtare, Rama u përgjigj me humor se ato janë më komode se këpucët klasike, edhe pse, siç tha ai, "ndonjëherë duhen të dyja".
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






