

Eliminimi i Brazilit nga Botërori 2026 vijon të shkaktojë reagime të forta në vendin latino-amerikan, ndërsa kritikat janë përqendruar te përzgjedhësi Carlo Ancelotti.
Ish-legjenda e "Seleçaos", Romario, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të teknikut italian, duke e konsideruar atë përgjegjës për dështimin e skuadrës në turne.
"Pas ndeshjes do të kisha hyrë në dhomat e zhveshjes dhe do t’i kisha thënë: ‘Faleminderit shumë, mirupafshim’. Do t’ia kisha grisur kontratën. Nuk ka asnjë arsye që Ancelotti të vazhdojë në stolin e Brazilit pas këtij dështimi", u shpreh Romario në kanalin e tij zyrtar.
Sipas ish-sulmuesit, trajnerë të tjerë brazilianë janë larguar pas rezultateve negative dhe i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për Ancelottin.
"Patëm Dungën, humbi dhe u largua. Patëm Scolarin, fitoi dhe qëndroi. Patëm Titen, humbi dhe më pas u largua. Tani kemi Ancelottin, i cili humbi dhe nuk duhet të vazhdojë", deklaroi ai.
Kritikave iu bashkua edhe ish-trajneri Vanderlei Luxemburgo, i cili akuzoi median braziliane se po tregohet më tolerante ndaj teknikut italian për shkak të kombësisë së tij.
"Ancelotti ka bërë shumë gabime në këtë Botëror dhe askush nuk flet. Po të ishte një trajner brazilian, do të ishte kritikuar shumë më ashpër. Për më tepër, nuk mund ta shohësh Brazilin të mbrohet për 90 minuta ndaj Norvegjisë. Skuadra luajti me frikë", u shpreh Luxemburgo.
Carlo Ancelotti ka kontratë me Federatën Braziliane të Futbollit deri në vitin 2030, ndërsa pas eliminimit nga Botërori 2026, e ardhmja e tij në stolin e "Seleçaos" është kthyer në një nga temat më të diskutuara në futbollin brazilian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






