

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur ditën e sotme ka dhënë detaje në lidhje me rastin e dhunimit të 17-vjeçares nga bashkëmoshataret në Fier, pamje të cilat u bënë publike dhe ndikuan thellë opinionin publik.
Hita ka folur në lidhje me pezullimin e një efektivi të përfshirë në këtë rast, teksa u shpreh se ndaj tij është marrë masa për shkelje të standarteve profesionale dhe cenimin e figurës së Policisë së Shtetit.
Ai më tej sqaroi se efektivi në fjalë nuk dyshohet se ka publikuar videon por në fakt ai ka krijuar marrëdhënie të panevojshme, me vajzat të cilat kanë dhunuar bashkëmoshataren e tyre.
“Oficeri i Policisë i përfshirë në rastin e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon. Pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardeve dhe cenim të rëndë të figurës së Policisë, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer veprime të kundërligjshme ndaj një të miture tjetër”, u shpreh Hita.
Më tej ai u shpreh se njëra prej vajzave është përfshirë në incidente të mëparshme të ngjashme me rastin dhe për këtë arsye është arrestuar.
“Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura duke kryer veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe, në vijim të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë ndërmarrë ndjekjet penale. Një prej vajzave ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar”, tha ai.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






