Transmetuar më 09-07-2026, 13:22

VLORË – Një 38-vjeçar me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar me një arsenal armësh dhe pajisjesh luftarake. Arrestimi i tij u bë i mundur falë operacionit policor të koduar “Siguria 2”.

I pratosuri është shtetasi me iniciale E. H., banues në Vlorë. Ai u ndalua në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë në bashkëpunim me Forcat "Shqiponja", ndërsa po udhëtonte me automjet në zonën e njohur si “Kthesa e Pilurit”.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët e policisë ushtruan një kontroll të rreptë fizik dhe në mjetin e 38-vjeçarit. Brenda një çante që ai mbante me vete, u zbuluan mjetet e para të rrezikshme:

1 armë zjarri pistoletë.

1 krehër i mbushur me fishekë luftarakë.

1 granatë dore.

Pas prangosjes në rrugë, operacioni u zhvendos në banesën e të arrestuarit në qytetin e Vlorës. Gjatë kontrollit të mjediseve të shtëpisë, policia gjeti dhe sekuestroi pjesën tjetër të arsenalit:

1 tjetër armë zjarri pistoletë.

Krehra shtesë me municion luftarak.

2 jelekë antiplumb.

2 jelekë multifunksionalë (taktikë).

Të gjitha sendet e paligjshme, së bashku me automjetin e përdorur dhe dy telefona celularë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për llogari të ekspertizave të mëtejshme.

Materialet procedurale i janë kaluar zyrtarisht Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Ndaj shtetasit E. H. janë ngritur akuzat për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit