

BELGJIKË – Një rrjet kriminal shqiptar që operonte në jug të Antwerpit është dënuar nga gjykata belge me dënime që arrijnë deri në 6 vite burgim, nën akuzat e trafikimit të rreth 200 kilogramëve kanabis dhe rreth 7 tonëve kokainë. Paralelisht me dënimet me burg, autoritetet kanë urdhëruar konfiskimin e pasurive me një vlerë prej mbi 3.1 milionë eurosh.
Sipas llogaritjeve të siguruara nga dokumentet kontabël të vetë organizatës, xhiroja financiare e aktivitetit të tyre kriminal kapte vlerën marramendëse të 147 milionë eurove.
Zbulimi i rrjetit: Kokainë e fshehur në mikrovalë
Saga hetimore ndaj këtij grupi ka nisur më 23 shkurt 2024, pas një informacioni që policia e Antwerpit siguroi mbi lëvizjet e dyshimta të një automjeti tip "BMW" me targa rumune. Gjatë kontrollit të mjetit, oficerët zbuluan një furrë mikrovalë të modifikuar posaçërisht, brenda së cilës ishin fshehur 2.2 kilogramë kokainë.
Ky detaj shërbeu si pikënisje për një vëzhgim disamujor që u shtri në 7 lokacione të ndryshme (pesë në Antwerp, një në Brasschaat dhe një në Linter), ku ranë në gjurmë 8 të dyshuar. Gjatë vëzhgimeve, policia dokumentoi lëvizje të shpeshte të kutive dhe çantave me lëndë kimike.
Laboratorët e përpunimit të drogës
Më 5 shtator 2024, autoritetet belge ndërmorën një operacion të gjerë bastisjesh, duke zbuluar dy laboratorë funksionalë në Geuzenstraat dhe Linter. Në këto mjedise, kokaina i nënshtrohej proceseve të larjes, pastrimit dhe shtypjes.
Gjatë aksionit u sekuestruan:
Mbi 1,400 litra lëndë kimike (përdorur për përpunim).
10 kilogramë kokainë e gatshme.
23 kilogramë kanabis.
Makina numërimi parash, telefona celularë dhe libreza kontabiliteti.
Dënimet e gjykatës dhe rolet e drejtuesve
Pavarësisht se të gjithë të pandehurit zgjodhën të mohonin akuzat duke kërkuar pafajësi, trupa gjykuese i shpalli ata fajtorë, duke dhënë dënime që variojnë nga 40 muaj deri në 6 vite heqje lirie.
Arbri C. (35 vjeç): I cilësuar si drejtuesi i celulës në terren, i cili menaxhonte kontaktet dhe mbikëqyrte bazat, u dënua me dënimin maksimal prej 6 vitesh burg dhe një gjobë prej 48,000 eurosh.
Arban D. (33 vjeç): Personi që financonte dhe siguronte kontratat e qirasë për shtëpitë dhe laboratorët e përdorur, u dënua me 5 vite burg dhe 40,000 euro gjobë.
Përveç dënimeve të mësipërme, vendimi i gjykatës sanksionoi edhe kalimin në favor të shtetit të mbi 3.1 milionë eurove asete të luajtshme dhe të paluajtshme të krijuara nga aktiviteti i paligjshëm.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






