

TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillon sot në orën 10:00 seancën e radhës gjyqësore ndaj ish-presidentit dhe kryetarit të Partisës së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit përballet me akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Gjatë seancës së kaluar, pala mbrojtëse ka dorëzuar një listë voluminoze prej 134 dëshmitarësh që kërkon të thirren në proces. Mes emrave të propozuar spikasin kryeministri Edi Rama, ish-deputetë, ish-bashkëpunëtorë të Metës nga periudha e drejtimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), si dhe shtetas të huaj të lidhur me dosjen "CEZ-DIA" dhe çështjen e lobimit, ku përfshihet edhe ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal.
Vendimi për pranimin ose jo të kësaj liste i mbetet trupës gjykuese, në një kohë kur edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur nga ana e saj një listë prej 110 dëshmitarësh. Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar zyrtarisht një riekspertim të të gjitha të ardhurave të z. Meta që prej vitit 1992.
Ndryshime në strategjinë e mbrojtjes: Largohet avokati Kujtim Cakrani Përtej betejës me listat e dëshmitarëve, procesi ka pësuar një kthesë pas njoftimit për ndryshimin e përfaqësuesit ligjor të ish-presidentit. Studio ligjore e avokatit Kujtim Cakrani deklaroi mbylljen e marrëveshjes, duke cituar si shkak "humbjen e mirëbesimit reciprok dhe mungesën e bashkëpunimit mes palëve".
Nga ana tjetër, përmes një letre të shkruar me dorë që u bë publike menjëherë pas seancës, Ilir Meta ka sqaruar pozicionin e tij. Sipas dokumentit, ish-presidenti ka kërkuar një mbrojtës ligjor që të jetë tërë kohën në dispozicion të tij, duke pasur parasysh volumin e madh të fashikujve të kësaj çështjeje.
"Kam vendosur të kem një avokat që të jetë tërë kohën në dispozicionin tim," shkruhet në letrën e Metës.
Deri në këto momente, emri i avokatit të ri që do të marrë përsipër mbrojtjen e kryetarit të Partisë së Lirisë nuk është bërë ende publik. Seanca e sotme pritet të sqarojë jo vetëm përfaqësimin e ri ligjor, por edhe ecurinë e njërës prej çështjeve më të rëndësishme në duart e drejtësisë së re.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






