Transmetuar më 09-07-2026, 08:55

TIRANË – Pas disa ditësh me temperatura pranë vlerave normale të muajit korrik, vendi pritet të përfshihet sërish nga një valë e të nxehtit afrikan, me temperaturat që do të pësojnë rritje graduale gjatë ditëve në vijim.

Sipas sinoptikanes Lajda Porja, temperaturat do të nisin rritjen që prej ditës së enjte, duke kaluar nga 35 gradë Celsius dhe duke arritur në 39-40 gradë gjatë fundjavës.

“Temperaturat do të rriten nga dita në ditë, nga 35 gradë të enjten, më pas 37 dhe 38 gradë, deri të dielën kur pritet të shkojnë në 39-40 gradë. Nga mesi i javës së ardhshme pritet një freskim i shkurtër, por më pas rikthehen masat e nxehta ajrore afrikane”, deklaroi Porja.

Zonat ku priten temperaturat më të larta janë qarqet e Shkodrës, Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës, Fierit dhe Tiranës.

Krahas temperaturave të larta, sinoptikanët paralajmërojnë edhe rritje të rrezikut për zjarre, veçanërisht në zonat ku do të jetë e pranishme era.

Sipas Porjës, qarqet e Lezhës dhe Vlorës mund të përballen me kushte më të favorshme për përhapjen e zjarreve për shkak të kombinimit të temperaturave të larta dhe erës.

Ekspertët e motit parashikojnë se muaji korrik do të jetë më i nxehtë se mesatarja klimatike, ndërsa kushtet atmosferike vijojnë të ndikohen edhe nga fenomeni El Niño, i cili po favorizon periudha me temperatura të larta.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit