Transmetuar më 09-07-2026, 07:38

TIRANË – Inflacioni në Shqipëri vijoi trendin rritës edhe gjatë muajit qershor, duke arritur në 3.2%, niveli më i lartë i regjistruar që prej janarit 2024. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve, qirave dhe kostove të lidhura me banesën.

Instituti i Statistikave bën të ditur se ndikimin më të madh në inflacion e pati grupi "Ushqime dhe pije joalkoolike", me 1.02 pikë përqindje, i ndjekur nga grupi "Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera", me 0.96 pikë përqindje.

Në rritjen e përgjithshme të çmimeve kontribuuan edhe transporti, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, pijet alkoolike dhe duhani, kujdesi personal, argëtimi, shërbimet financiare, arsimi dhe shëndetësia. I vetmi grup që regjistroi ulje të çmimeve ishte ai i veshjeve dhe këpucëve.

Norma prej 3.2% e inflacionit tejkalon objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.

Guvernatori Gent Sejko ka deklaruar se, sipas skenarit bazë të Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës në tregjet ndërkombëtare pritet të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit gjatë vitit 2026, ndërsa ndikimi në ekonominë shqiptare parashikohet të jetë kalimtar dhe pa pasoja afatgjata.

Sipas INSTAT, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, rritjen më të madhe të çmimeve e shënoi grupi "Argëtim, sport dhe kulturë" me 6.1%, i ndjekur nga "Sigurime dhe shërbime financiare" me 5.1%, "Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera" me 4.8%, "Pije alkoolike dhe duhan" me 3.5%, "Restorante dhe shërbime akomodimi" me 3.3%, si edhe "Transporti" dhe "Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme", me nga 3.2%. Ndërkohë, çmimet e grupit "Veshje dhe këpucë" shënuan një rënie prej 0.9%.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit