Transmetuar më 09-07-2026, 07:36

TIRANË – Pavarësisht se qershori përkon me kulmin e prodhimit bujqësor në vend, çmimet e perimeve kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve shqiptare.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, grupi “Perime, zarzavate dhe bishtajore” u shtrenjtua me 8.5% në muajin qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është pothuajse trefish më e lartë se inflacioni mesatar i ushqimeve, i cili rezultoi 3%.

Rritja e çmimeve konsiderohet e pazakontë, pasi gjatë kësaj periudhe oferta e prodhimeve vendase është zakonisht në nivelet më të larta, çka në kushte normale do të duhej të sillte ulje të çmimeve në treg. Megjithatë, tregu i pakicës ka ndjekur një prirje të kundërt.

Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me disa faktorë, mes të cilëve rritja e kostove të prodhimit dhe transportit, kërkesa më e lartë gjatë sezonit turistik, si edhe orientimi i një pjese të prodhimit drejt eksporteve, ku çmimet janë më konkurruese.

Sipas statistikave, rritjen më të lartë mes produkteve ushqimore e shënuan peshku dhe produktet e detit me 9%, të ndjekura nga perimet me 8.5%. Ndërkohë, çmimet e mishit u rritën me 4.2%, produktet e bulmetit dhe vezët me 2.4%, sheqeri dhe ëmbëlsirat me 2.5%, ndërsa vajrat dhe yndyrat me 1.7%. Rritja më e ulët u regjistrua te drithërat dhe produktet me bazë drithërash, me 0.9%.

Në të kundërt, frutat ishin i vetmi grup ushqimor që shënoi ulje të çmimeve, me 2.8% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e çmimeve të perimeve vjen në një periudhë kur konsumi shtohet ndjeshëm për shkak të sezonit turistik, me kërkesë të lartë nga hotelet, restorantet dhe njësitë e shërbimit, veçanërisht në zonat bregdetare. Paralelisht, eksportet dhe kostot më të larta të prodhimit kanë ndikuar në kufizimin e ofertës për tregun vendas, duke mbajtur çmimet në nivele të larta edhe gjatë sezonit të bollshëm bujqësor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit