Transmetuar më 08-07-2026, 23:23

Më shumë se gjashtë vjet e gjysmë pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019, familja e Xhevahir Kajës vijon të jetojë në kushte të vështira, ndonëse për ndërtimin e banesës së re është miratuar një fond prej 22.365.520 lekësh.

Banesa e familjes në fshatin Kryevidh, Bashkia Rrogozhinë, u shpall e pabanueshme (DS5) pas tërmetit. Që prej asaj kohe, familja me tre fëmijë është strehuar në një objekt të improvizuar në fshatin Rreth-Greth, i cili, sipas tyre, ishte ndërtuar fillimisht për mbarështimin e shpendëve.

Familjarët tregojnë se prej vitesh kanë marrë premtime se ndërtimi i shtëpisë do të nisë së shpejti, por deri më sot nuk është hedhur asnjë hap konkret. Ata përshkruajnë kushte të vështira jetese, me çati që pikon gjatë reshjeve, lagështi të lartë dhe mungesë të kushteve bazë për një familje me tre fëmijë.

Sipas kryefamiljarit, kompania ndërtuese kishte kërkuar fillimisht sistemimin e rrugës dhe sheshit ku do të ndërtohej banesa. Familja thotë se e realizoi këtë investim me ndihmën e të afërmve, me shpresën se punimet do të nisnin, por ato nuk filluan.

Pas interesimit të emisionit Fiks Fare, kompania ndërtuese "Braka" sh.p.k. deklaroi se është në pritje të lejes së ndërtimit. Nga ana tjetër, Zyra e Urbanistikës në Bashkinë Rrogozhinë bëri të ditur se në sistem nuk rezulton asnjë aplikim i depozituar për pajisjen me këtë leje.

Sipas raportimit, pas ndërhyrjes së emisionit, bashkia dhe kompania ndërtuese ranë dakord të bashkëpunojnë për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. Bashkia u shpreh se procedurat do të përshpejtohen sapo të dorëzohet dosja e plotë, ndërsa përfaqësuesi i kompanisë premtoi mbështetje për familjen me qëllim nisjen e ndërtimit të banesës.

Pas më shumë se gjashtë vitesh pritje, familja Kaja shpreson që procesi të zhbllokohet dhe banesa e re të ndërtohet sa më shpejt.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit