

Polemikat rreth koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë vijojnë të jenë në qendër të debatit publik, mes akuzave të opozitës dhe pretendimeve të publikuara në media lidhur me organizimin dhe financimin e eventit.
Sipas pretendimeve të bëra publike, një fond prej 4 milionë eurosh, i akorduar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, është përdorur për të garantuar zhvillimin e koncertit, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e biletave dyshohet se kishte mbetur e pashitur. Deri më tani, qeveria nuk ka konfirmuar këto pretendime.
Referuar raportimeve në media, deri në fund të muajit maj ishin shitur rreth 25 mijë bileta, ndërsa ishte ngritur shqetësimi se kapaciteti i arenës në zonën e Kasharit mund të mos mbushej plotësisht.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar pretendime se bileta falas po shpërndahen përmes institucioneve arsimore dhe administratës publike. Sipas këtyre postimeve, në disa raste biletat u janë ofruar nxënësve si formë vlerësimi, ndërsa punonjës të administratës janë njoftuar për mundësinë e përfitimit të tyre përmes shorteve ose procedurave të ngjashme.
Gjithashtu, janë publikuar pretendime se edhe persona të njohur në rrjetet sociale janë kontaktuar me oferta bashkëpunimi të lidhura me sigurimin e biletave për koncertin.
Deri në këtë fazë, nuk ka një konfirmim zyrtar që fondet publike janë përdorur për blerjen ose shpërndarjen e biletave. Nga ana tjetër, qeveria ka mbrojtur organizimin e koncertit, duke e cilësuar atë një aktivitet me ndikim kulturor dhe ekonomik për vendin.
Debati mbi financimin dhe organizimin e eventit mbetet i hapur, ndërsa priten sqarime të mëtejshme nga institucionet përgjegjëse.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






