

Partia VLEN ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe sqarim zyrtar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, pas ndalimit të tre zyrtarëve të saj në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Sipas reagimit të partisë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, janë mbajtur për rreth një orë në kufi, megjithëse udhëtonin me pasaporta diplomatike.
VLEN thotë se zyrtarët nuk kanë marrë asnjë shpjegim zyrtar për ndalimin, ndërsa, sipas informacioneve të dhëna në mënyrë jozyrtare nga policia kufitare, ndaj tyre ekzistonte një masë ndalimi për hyrje në territorin shqiptar.
Partia kërkon që autoritetet shqiptare të bëjnë publike nëse një masë e tillë ekziston, kush e ka marrë vendimin, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete që çuan në ndalimin e tre përfaqësuesve institucionalë.
Në reagimin e saj, VLEN thekson se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve duhet të bazohen në transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, duke vlerësuar se ndalesat pa shpjegim zyrtar krijojnë paqartësi dhe ngrenë pikëpyetje për procedurat e ndjekura.
Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me këtë rast.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






