Transmetuar më 08-07-2026, 21:45

8 Korrik 2026

Egnatia ka bërë një paraqitje karakteri në transfertë, duke marrë një barazim të vlefshëm 1-1 ndaj Petrocub në ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator të Champions League.

Kampionët e Shqipërisë kaluan një mbrëmje të vështirë në stadiumin “Hincesti”, pasi përveç golit të pësuar në fillim të sfidës, luajtën pjesën e dytë me një lojtar më pak.

Sfida nisi në mënyrën më të keqe për skuadrën nga Rrogozhina. Vetëm pak sekonda pas vërshëllimës së parë, një pasim i gabuar i kapitenit Aleksit drejt portierit Dajsinani u shfrytëzua nga Popesku, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi Petrocubin në avantazh 1-0.

Egnatia nuk u dorëzua dhe reagoi shpejt, duke kërkuar golin e barazimit. Pas disa përpjekjeve, skuadra shqiptare e gjeti rezultatin në minutën e 35-të. Një aksion i ndërtuar nga Haimes dhe Kryeziu u finalizua nga ky i fundit, që me një goditje të saktë vendosi shifrat në 1-1.

Problemet për Egnatian u shtuan në fundin e pjesës së parë. Kapiteni Aleksi u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë për një ndërhyrje në mesfushë, por pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u ndryshua dhe mesfushori u ndëshkua me karton të kuq.

Në pjesën e dytë, Petrocub ushtroi presion të vazhdueshëm, por portieri Dajsinani ishte protagonisti kryesor i Egnatias, duke kryer disa pritje vendimtare dhe duke mbajtur gjallë rezultatin.

Edhe skuadra shqiptare pati mundësi për të kaluar në avantazh, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan.

Në fund, Egnatia siguroi një barazim 1-1 që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Sfida vendimtare do të zhvillohet më 15 korrik në Rrogozhinë, ku kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë të sigurojnë kalimin në raundin tjetër të eliminatoreve të Champions League.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit