

8 Korrik 2026
Një 21-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Arlind K., ka kërkuar rigjykim në Belgjikë pasi u dënua në mungesë me 15 muaj burg dhe gjobë, nën akuzën për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
I riu nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore të 13 shkurtit, çka bëri që vendimi të jepej në mungesë. Tashmë ai ka kundërshtuar dënimin dhe po kërkon rishqyrtimin e çështjes.
Sipas prokurorisë, Arlind K. u ndalua më 3 gusht 2024 gjatë një kontrolli rutinë për një shkelje të Kodit Rrugor. Sjellja e tij dhe e pasagjerit, të cilët u shfaqën tepër nervozë, shtyu policinë të kryente një kontroll më të detajuar të automjetit.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën rreth 140 gramë kanabis dhe hashash, të ndara në tre qese dhe të fshehura poshtë sediljes së shoferit.
Prokuroria pretendon se hetimet zbuluan se i riu kishte vepruar prej javësh si korrier për një rrjet të trafikut të drogës. Sipas akuzës, në telefonin e tij u gjetën mesazhe me adresa për dorëzimin e lëndëve narkotike, si edhe fotografi e video ku shfaqeshin drogë, para dhe vetë i pandehuri.
Megjithatë, mbrojtja paraqiti një version krejt tjetër të ngjarjes. Avokatja e tij deklaroi se klienti punon si berber dhe se ditën e arrestimit kishte pranuar t’i priste flokët një personi të njohur rastësisht, i cili më pas i kishte kërkuar të drejtonte automjetin me pretendimin se kishte konsumuar kanabis.
Sipas saj, nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që Arlind K. të ketë përfituar financiarisht apo të ketë qenë pjesë e një organizate kriminale.
Gjatë seancës, vetë 21-vjeçari mohoi akuzat.
"Unë punoj si berber. Madje kam krijuar edhe klientelën time në Antverp", deklaroi ai përmes një përkthyesi.
Kryetari i trupit gjykues reagoi me ironi, duke thënë:
"Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikush të porosisë 140 gramë kanabis te berberi."
Në përgjigje, shqiptari këmbënguli se telefoni ku ndodheshin mesazhet nuk ishte i tij, por i pasagjerit që ndodhej në makinë, ndërsa shtoi se disponon pajisjet dhe mjetet e punës që provojnë profesionin e tij si berber.
Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet më 14 korrik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






