

Deputeti i koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut, Adnan Azizi, ka reaguar pas raportimeve se ai dhe disa zyrtarë të tjerë nuk u lejuan të hynin në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Qafë Thanës.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Azizi falënderoi të gjithë ata që, sipas tij, i kanë shprehur mbështetje pas incidentit, duke theksuar se gjatë angazhimit të tij politik nuk është tërhequr përballë asnjë presioni.
"Në gjithë ato vite veprimi politik, nuk na ka trembur e zbrapsur asnjë pushtet e asnjë tiran. Aq më pak këta të Open Ballkanit", shkroi deputeti.
Azizi u shpreh gjithashtu se Shqipëria nuk i përket asnjë force politike dhe se ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë.
"Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ajo është po aq e jona sa e çdo shqiptari, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë. Pushtetet janë të përkohshme. Shqipëria është e përhershme. Shqipëria mbetet gjithmonë e shqiptarëve", theksoi ai.
Reagimi vjen pasi gjatë ditës u publikuan raportime kontradiktore lidhur me kalimin e tij dhe të zyrtarëve të tjerë të VLEN-it në pikën kufitare të Qafë Thanës. Ndërsa vetë zyrtarët pretenduan se u penguan të hynin në Shqipëri, burime nga autoritetet kufitare shqiptare kanë deklaruar se tre prej tyre kishin të drejtë të kalonin kufirin, por zgjodhën të ktheheshin pasi personi i katërt që i shoqëronte nuk u lejua të hynte për shkak të problemeve me dokumentacionin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






