Transmetuar më 08-07-2026, 20:08

8 Korrik 2026

Tre zyrtarë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut kanë deklaruar se janë përballur me një incident në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku, sipas tyre, u penguan të hynin në territorin shqiptar gjatë një udhëtimi me pasaporta diplomatike.

Sipas raportimeve të publikuara nga TV21, në grup ndodheshin koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani.

Zyrtarët pretendojnë se janë mbajtur për rreth një orë në pikën kufitare pa marrë shpjegime mbi arsyet e vonesës. Më pas, sipas tyre, policia kufitare u komunikoi se tre prej tyre mund të vazhdonin udhëtimin, ndërsa personi i katërt që i shoqëronte nuk lejohej të hynte në Shqipëri.

Në shenjë kundërshtimi ndaj këtij vendimi, ata vendosën të mos kalonin kufirin dhe u kthyen mbrapsht. Sipas deklarimeve të tyre, më vonë u njoftuan se ndaj tyre ishte vendosur një masë ndalimi për hyrjen në territorin shqiptar.

Burime të cituara nga media raportojnë se masa mund të lidhet me përfshirjen e tyre të dyshuar në organizimin e protestave të zhvilluara së fundmi në Tiranë, të njohura si "Revolucioni Flamingo". Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një reagim apo konfirmim zyrtar nga autoritetet shqiptare mbi arsyet e ndalimit ose ekzistencën e një vendimi të tillë.

"Revolucioni Flamingo" u shfaq në fund të muajit maj 2026 si një lëvizje qytetare kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura të Lagunës së Nartës, Zvërnecit dhe projekteve të zhvillimit në Ishullin e Sazanit, për t’u zgjeruar më pas në protesta me karakter më të gjerë kundër qeverisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit