Transmetuar më 08-07-2026, 19:25

TIRANË- Vendimi i qeverisë për të mbështetur me 4.25 milionë euro koncertin e këngëtarit me famë botërore Kanye West ka sjellë debate dhë kundërshtime qytetare dhe politike në vend. Në lidhje me këtë, Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja u shpreh se është prekur fondi rezervë i buxhetit të shtetit, dhe jo fondet për emergjencat.

Në studion e A2 CNN, Gonxhja tha se vetëm dje janë shitur mbi 700 bileta për koncertin, ndërsa shtoi se në Turqi, në dy javët e fundit, janë shitur 20 mijë bileta. Ai theksoi se qeveria bëri këtë ndërhyrje për të parandaluar zhgënjimin e atyre që kishin prerë biletat. Kjo pasi, sipas tij ka njerëz që kanë paguar 15 mijë dollarë dhe kanë ardhur që nga Australia.

“Nuk është prekur spitali i askujt, as programi i askujt. Është një fond i vogël, nuk e di shifrën e saktë, që është aty për raste kur ka nevoja të paparashikuara dhe që plotësojnë kushtet e një nevoje të paparashikuar. Nuk jam fare menaxheri i shitjes së biletave, por di të them që vetëm dje janë shitur mbi 700 bileta. Në Turqi, në dy javët e fundit, janë shitur 20 mijë bileta.

Arsyet janë këto që po ju them: humbja që do të kishim, pra dëmi që do të shkaktohej nga zhgënjimi i atyre që kanë prerë biletat. Ndoshta një pjesë e tyre nuk do t’i merrnin dot mbrapsht paratë. Ka njerëz që kanë paguar 15 mijë dollarë dhe kanë ardhur që nga Australia.

Ky është një treg në dukje privat, por është pjesë e industrisë kreative të vendit tonë. Nuk ka në asnjë vend të botës, sidomos në sistemin që ne kemi zgjedhur, që shteti të rrijë pas një muri dhe privatët pas një muri tjetër. Ky mur nuk ekziston.”, tha Gonxhja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit