

Një sulm me thikë në një kompleks shkollor në qytetin Schongau, në jugperëndim të Mynihut, ka tronditur Gjermaninë, pasi dy nxënëse mbetën të plagosura pas një sulmi të dyshuar nga një 16-vjeçar.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës, ku adoleshenti sulmoi me thikë dy vajzat. Policia bëri të ditur se i dyshuari mund të ketë pasur me vete edhe një armë zjarri, por u arrestua menjëherë pas ndërhyrjes së forcave të rendit.
Dy nxënëset e plagosura u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ato ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas sinjalizimeve fillestare për të shtëna dhe disa persona të plagosur, në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policie, si edhe helikopterë të reagimit të shpejtë për të siguruar zonën.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se autori ka vepruar i vetëm dhe se deri më tani nuk ka indicie për persona të tjerë të përfshirë.
Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të sulmit, ndërsa arsyeja që çoi 16-vjeçarin në kryerjen e këtij akti mbetet ende e paqartë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






