Transmetuar më 08-07-2026, 13:57

TIRANË, 8 Korrik 2026 – Kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros po reflekton gjithnjë e më fort efektet sezonale të sezonit veror. Shtimi i fluksit të turistëve dhe emigrantëve ka rritur ndjeshëm ofertën për valutë në tregun shqiptar, duke ushtruar një presion të pashembullt mbi rënien e monedhës së përbashkët europiane.

Sipas kursit zyrtar të publikuar sot nga Banka e Shqipërisë, një Euro u këmbye me 93.78 lekë, duke u nënçmuar me 0.11 lekë krahasuar me ditën e mëparshme. Ky përben nivelin më të ulët historik të regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Në raport me fillimin e këtij viti, Euro është nënçmuar me 3.04%, ose me gati 3 lekë më pak.

Ecuria e kursit dhe krahasimi afatgjatë

Rënia e monedhës europiane bëhet akoma më e dukshme nëse analizohen mesataret e viteve të fundit:

Mesatarja Janar – Korrik 2026: Një euro është këmbyer mesatarisht me 95.7 lekë.

Mesatarja e vitit 2025: Kursi mesatar ishte në nivelin 97.8 lekë.

Krahasimi me vitin 2015: Krahasuar me një dekadë më parë, kur Euro këmbehej mesatarisht me 139.7 lekë, monedha e përbashkët ka pësuar një zhvlerësim drastik prej 31.5% (rreth 44 lekë më pak).

Faktorët që po zhvlerësojnë Euron

Aktorët e tregut valutor pohojnë se forcimi i pashpjegueshëm i Lekut lidhet me një kombinim faktorësh afatgjatë dhe sezonalë. Së pari, fluksi i parave informale që hyri në vend pas vitit 2016 u kanalizua masivisht në sektorin e ndërtimit.

Së dyti, pas vitit 2022, peshën kryesore e morën të ardhurat e gjeneruara nga turizmi, ku vetëm gjatë vitit 2025 hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kaluan shifrën e 12 milionë personave. Rënia e ditëve të fundit i faturohet ekskluzivisht prurjeve të mëdha valutore që sjellin turistët gjatë pikut të sezonit veror.

Fituesit dhe humbësit e kursit të ri

Kush dëmtohet: Nënçmimi galopant i Euros ka goditur rëndë sektorin e eksporteve dhe operatorët turistikë, të cilët i sigurojnë të ardhurat në valutë por shpenzimet i kanë në Lekë. Një tjetër goditje po marrin edhe familjet e emigrantëve, të cilave u ka rënë ndjeshëm vlera e remitancave në tregun vendas.

Kush përfiton: Në kahun tjetër, situata është pozitive për importuesit e mallrave, të cilëve u duhen më pak Lekë për të blerë të njëjtën sasi produktesh jashtë vendit. Përfitues direkt mbeten edhe qytetarët shqiptarë që udhëtojnë jashtë për pushime, si dhe Buxheti i Shtetit, që harxhon më pak fonde për të paguar shërbimin e borxhit të jashtëm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit