

TIRANË, 8 Korrik 2026 – Këngëtarja dhe sipërmarrësja e njohur shqiptaro-amerikane, Ledi Vokshi, ka ndarë një lajm mjaft të trishtë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Nënë e dy fëmijëve, Vokshi ka rrëfyer se po priste prej rreth tre vitesh të bëhej nënë për herë të tretë, por fatkeqësisht ka përjetuar humbjen e fëmijës përpara se ai të vinte në jetë.
Përmes një postimi prekës në llogarinë e saj në Instagram, ajo shpjegoi se vendosi ta bënte publik këtë moment të vështirë për të thyer heshtjen dhe për t’iu gjendur pranë të gjitha grave që kalojnë të njëjtën sprovë të rëndë emocionale.
“Ky nuk ishte postimi që kisha planifikuar të shkruaja. Do të duhej të ndaja një moment për të cilin jam lutur për 3 vite. Në vend të kësaj, po ndaj një humbje. Po e ndaj këtë sepse shumë gra e mbajnë këtë dhimbje të vetme, dhe edhe pse në këtë moment ndihem kështu, nuk besoj se duhet ta kalojmë vetëm”, ka shkruar ajo.
Në mbyllje të mesazhit të saj sensibilizues dhe plot ndjenjë, këngëtarja ka përcjellë një mesazh të fortë solidarizimi dhe mbështetjeje për të gjitha nënat që përballen me humbje të tilla: “Nëse ke qenë këtu, po të mbaj për dore nga kudo që je”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






