Transmetuar më 08-07-2026, 12:35

TIRANË, 8 Korrik 2026 – Rrjeti Akademik Shqiptar ka publikuar kalendarin zyrtar të aplikimeve për të gjithë maturantët që synojnë të ndjekin studimet e larta në universitetet e vendit. Procesi i përzgjedhjes së degëve do të shtrihet në tre raunde përgjatë muajve korrik, shtator dhe tetor, duke u mundësuar kandidatëve përzgjedhjen online të deri në 10 programeve të studimit në portalin U-Albania.

Sipas detajeve të bëra publike nga Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, faza paraprake ka nisur që më 3 korrik me pagesën e tarifës së aplikimit prej 2,000 lekësh, e cila do të jetë e hapur deri më 24 korrik. Pas kësaj date, në sistem do të hidhen notat e tre viteve të gjimnazit dhe rezultatet e Provimeve të Maturës Shtetërore, të cilat maturantët do të kenë mundësi t’i verifikojnë në profilin e tyre nga data 21 deri më 24 korrik.

Kalendari i plotë i aplikimeve dhe regjistrimeve:

Raundi i Parë:

27 Korrik – 1 Gusht 2026: Aplikimi online në portalin U-Albania për përzgjedhjen e 10 degëve.

22 Gusht 2026: Publikimi i listave të renditjes së aplikantëve.

9 Shtator 2026: Afati i fundit për çregjistrimin nga një degë e fituar në raundin e parë.

Raundi i Dytë:

30 Gusht – 14 Shtator 2026: Pagesa e tarifës së aplikimit për raundin e dytë.

15 – 17 Shtator 2026: Përzgjedhja online e 10 programeve të studimit.

23 Shtator 2026: Publikimi i renditjes së re të aplikantëve në U-Albania.

5 Tetor 2026: Afati i fundit për çregjistrimin nga ky raund.

Raundi i Tretë:

8 Tetor – 21 Tetor 2026: Zhvillimi i fazës së tretë dhe të fundit të aplikimeve për kuotat e mbetura lira.

Këshilla të rëndësishme për aplikantët

Drejtuesit e Rrjetit Akademik Shqiptar u bëjnë thirrje maturantëve që të tregohen të kujdesshëm gjatë plotësimit të formularit, pasi në momentin që aplikimi konfirmohet në sistem, nuk ka më kthim pas për të bërë ndryshime apo korrigjime në renditjen e degëve.

Gjithashtu, maturantët që përzgjedhin programe studimi që përfshijnë testime praktike apo konkurse pranimi, duhet të monitorojnë me kujdes datat specifike të shpalljes së këtyre konkurseve nga universitetet përkatëse menjëherë pas mbylljes së fazës së parë të aplikimit. Aplikimi mund të kryhet nga çdo pajisje me akses në internet, brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit