

KRUJË, 8 Korrik 2026 – Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në Krujë, ku shënjestër ka qenë një automjet i parkuar. Nga të dhënat e para të strukturave policore, si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme të materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë rreth zonës së ngjarjes, të cilat kanë fiksuar edhe autorin e dyshuar. Në pamje shihet një person i veshur me rroba të errëta për të shmangur identifikimin, i cili pasi ka vendosur lëndën plasëse në mjet, është larguar me shpejtësi në këmbë.
Burime nga policia bëjnë me dije se sasia e tritolit të përdorur ka qenë e vogël. Nisur nga kjo dinamikë, dyshimet kryesore të hetuesve bien mbi një paralajmërim të mundshëm ndaj pronarit të automjetit, për shkak të konflikteve që ky i fundit dyshohet se ka pasur së fundmi lidhur me çështje pronësie. Policia po vijon punën për identifikimin e plotë të autorit dhe zbardhimin e rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






