

BUDAPEST, 8 Korrik 2026 – Një zhvillim i paprecedent dhe i pazakontë ka ndodhur në hapësirën mediatike të Hungarisë, ku disa prej mediave kryesore publike, të kontrolluara prej vitesh nga ish-kryeministri Viktor Orban, kanë ndërprerë transmetimet pas humbjes së tij në zgjedhjet parlamentare.
Në ekranin e televizionit shtetëror "M1", i cili për një kohë të gjatë është konsideruar si shtylla kryesore e propagandës së qeverisë së kaluar, transmetimi rregullt është zëvendësuar nga një sfond i zi me një mesazh tronditës ndjese drejtuar qytetarëve. Sipas raporteve, pezullimi i transmetimeve informative ka prekur edhe radion publike "Kossuth Radio", si dhe faqet zyrtare online të këtyre institucioneve.
“Media e shërbimit publik nuk duhet të gënjejë. Kërkojmë ndjesë që e kemi bërë këtë për shumë vite! Media publike tani po ristrukturohet për të siguruar pavarësinë dhe besueshmërinë. Transmetimet e lajmeve janë pezulluar përkohësisht. Ju lutemi qëndroni të sintonizuar!” – thuhej në mesazhin zyrtar të shfaqur në ekran.
Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, i cili fitoi zgjedhjet në krye të partisë "Tisza" me premtimin për një reformë të thellë të sistemit mediatik, e ka cilësuar këtë moment si historik. Magyar njoftoi se mediat publike do të rikthehen nën një administrim plotësisht të ri dhe të pavarur, duke shtuar se epoka ku mediat shtetërore "gënjenin natën dhe ditën" ka përfunduar. Gjatë fazës së tranzicionit, lajmet do të mbeten të pezulluara, ndërsa në radio do të transmetohet vetëm program muzikor.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Viktor Orban, i cili udhëhoqi vendin për 16 vite radhazi duke u akuzuar nga kritikët për asgjësim të pavarësisë editoriale të mediave, ka reaguar ashpër. Ai e ka dënuar këtë proces të ri, duke e cilësuar ndërhyrjen si “një tjetër hap të tiranisë së Tiszas”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






