Transmetuar më 08-07-2026, 10:46

TIRANË, 8 Korrik 2026 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kritikave lidhur me alokimin e një fondi prej 4 milionë eurosh nga qeveria për koncertin e reperit amerikan Kanye West në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit e ka cilësuar këtë lëvizje si një ndërhyrje “in extremis” për të shpëtuar imazhin e vendit dhe për të shmangur dështimin e një eventi me përmasa ndërkombëtare.

Sipas Ramës, financimi erdhi në minutën e fundit për të mos turpëruar Shqipërinë përpara afro 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 shtete të botës që kanë blerë biletat. Kryeministri argumenton se ky investim do të përkthehet në një injektim të fuqishëm prej të paktën 100 milionë eurosh në ekonominë shqiptare përmes turizmit, strukturave akomoduese dhe rritjes së konsumit, duke sjellë si shembull Finalen e Conference League të vitit 2022, e cila sipas UEFA-s gjeneroi 160 milionë euro.

"Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë", shprehet Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri ka hedhur poshtë akuzat e opozitës dhe kritikëve në rrjetet sociale, të cilët argumentonin se këto fonde publike po shpërdoroheshin për një "koncert privat" në vend që të shkonin për sektorë jetikë si shëndetësia. Rama deklaroi se vetëm pak ditë më parë, përmes Aktit Normativ të fundqershorit, qeveria ka akorduar 15 milionë euro shtesë për ilaçet e pacientëve me kancer, 5 milionë euro për aparatura mjekësore, si dhe ka dyfishuar mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara dhe startup-et.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit