Transmetuar më 08-07-2026, 10:08

TIRANË, 8 Korrik 2026 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Lartë me një kërkesë urgjente për përshpejtimin e rigjykimit të çështjes së tij, duke kërkuar gjithashtu shqyrtimin e parashtrimeve pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në argumentat e depozituara pranë trupës gjykuese, Veliaj thekson se nevoja për një vendimmarrje të shpejtë lidhet drejtpërdrejt me pasojat e rënda që po sjell masa e sigurimit ndaj tij. Sipas kërkesës, kjo masë po cenon lirinë e tij personale, po pengon ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe po bllokon funksionimin normal të qeverisjes vendore në kryeqytet.

"Kërkesa për përshpejtim nuk mbështetet në një interes abstrakt për shqyrtim të shpejtë, por në pasoja konkrete dhe të përditshme mbi lirinë personale, mbi ushtrimin e mandatit të fituar me votë dhe mbi funksionimin e qeverisjes vendore në Bashkinë e Tiranës", thuhet specifikisht në dokumentin e dorëzuar nga mbrojtja ligjore e Veliajt.

Më tej, në kërkesë vihet në dukje se vonesat procedurale po konsumojnë kohën reale të mandatit të tij si kryebashkiak, çka do t’i bënte pasojat e pakthyeshme edhe nëse Gjykata e Lartë do të jepte një vendim pozitiv në një moment të dytë. Sipas parashtresës, zgjatja e këtij procesi rrezikon të lërë pa efekt praktik vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke cenuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi i tyre i zgjedhur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit