

TIRANË – Mungesa e fuqisë punëtore në vend po shtyn bizneset shqiptare të orientojnë gjithnjë e më shumë rekrutimin drejt tregjeve të huaja të punës. Nga sektori i shërbimeve dhe turizmit, te industria, bujqësia dhe kujdesi social, punonjësit e huaj po zënë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), gjatë vitit 2025 u miratuan online 18,156 kërkesa për punësimin e shtetasve të huaj, një rritje prej 43.4% krahasuar me vitin 2024. Nga këto, rreth 14 mijë ishin leje pune të miratuara për herë të parë, duke reflektuar një fluks në rritje të punonjësve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion pune.
Filipinet dhe India kryesuan listën e vendeve nga të cilat u regjistruan më shumë kërkesa. Secili prej këtyre dy shteteve përbënte 18% të totalit të kërkesave të miratuara. Konkretisht, gjatë vitit 2025 u dhanë 3,279 leje pune për shtetas filipinas dhe 3,251 për shtetas indianë, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë.
Pas tyre renditen Egjipti me 15% të kërkesave të miratuara, Turqia me 9%, Kosova me 4% dhe Italia me 3%.
Punonjësit e huaj angazhohen në profesione të ndryshme, duke filluar nga kamerierë, punonjës mirëmbajtjeje dhe operatorë në industri, deri te inxhinierë, kujdestarë për fëmijë dhe të moshuar, si edhe specialistë në sektorë të ndryshëm.
Sipas legjislacionit shqiptar "Për të huajt", shtetasit e vendeve të treta duhet të pajisen me Leje Unike, e cila përfshin lejen e punës, vizën dhe lejen e qëndrimit. AKPA miraton vetëm lejen e punësimit, ndërsa procedurat për vizën dhe lejen e qëndrimit përfundohen nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit pranë Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, shtetasit e Kosovës dhe ata të vendeve të Bashkimit Evropian ndjekin procedura të ndryshme. Falë marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, qytetarët kosovarë mund të pajisen me leje biometrike pesëvjeçare, e cila shërben njëkohësisht si leje pune dhe qëndrimi, duke thjeshtuar ndjeshëm procedurat administrative.
Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se në fund të vitit 2025 në Shqipëri ishin të pajisur me leje qëndrimi 6,076 shtetas nga Kosova, ose rreth 22% e totalit të të huajve me leje qëndrimi, ndërsa numri i shtetasve italianë arriti në 3,776 persona, me një rritje prej 75% krahasuar me vitin 2024.
Shtetasit italianë, si qytetarë të Bashkimit Evropian, nuk kanë nevojë për miratim të lejes së punës nga AKPA, por vetëm për deklarimin e punësimit, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Rritja e numrit të lejeve të punës për të huajt konfirmon varësinë në rritje të tregut shqiptar nga fuqia punëtore e importuar, ndërsa bizneset vijojnë të përballen me mungesën e punonjësve vendas në disa prej sektorëve kryesorë të ekonomisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






