Transmetuar më 08-07-2026, 07:27

BRUKSEL – Bashkimi Europian pritet të zhvillojë të mërkurën një debat të rëndësishëm mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit të Serbisë, ndërsa vendet anëtare mbeten të ndara lidhur me hapjen e Kapitullit 3 të negociatave.

Në tryezën e Këshillit të Bashkimit Europian do të shqyrtohet kërkesa e Beogradit për të avancuar në procesin negociator, por ende nuk ekziston një konsensus nëse reformat e ndërmarra nga autoritetet serbe, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, janë të mjaftueshme për të hedhur hapin e radhës.

Komisioni Europian u ka shpërndarë shteteve anëtare një dokument informues, ku vlerëson se masat e fundit të ndërmarra nga Serbia përbëjnë progres dhe justifikojnë hapjen e Kapitullit 3. Sipas Komisionit, Beogradi ka adresuar një pjesë të mangësive të evidentuara më herët gjatë këtij viti, ndërsa ka forcuar edhe kapacitetet e Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Megjithatë, në dokument theksohet se mbeten ende reforma për t’u përmbushur në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, duke lënë të hapur debatin mes vendeve anëtare.

Diskutimi nuk lidhet vetëm me përparimin teknik të negociatave. Serbia vazhdon të konsiderohet një partner strategjik për Bashkimin Europian, çka ka sjellë qasje të ndryshme mes kryeqyteteve europiane. Një grup shtetesh mbështet vazhdimin e angazhimit me Beogradin, me argumentin se procesi i integrimit nxit reformat, ndërsa vende të tjera kërkojnë garanci më të forta për respektimin e standardeve demokratike dhe harmonizimin e politikës së jashtme serbe me atë të BE-së.

Një nga pikat kryesore të rezervave mbetet refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, që vijon të jetë një element i rëndësishëm në vlerësimin e progresit të saj drejt anëtarësimit.

Komisioni Europian ka bërë të qartë se vendimi përfundimtar për hapjen e Kapitullit 3 do të merret nga qeveritë e vendeve anëtare në Këshillin e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe zyrtarëve europianë kanë kaluar periudha tensioni. Vuçiç ka shkëmbyer kritika publike edhe me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos, duke deklaruar se nuk pret më rezultate nga takimet me të.

"Nuk duam ta shohim Serbinë të mbetet prapa në procesin e pranimit. Për shkak të hapave pozitivë të ndërmarrë së fundmi, Komisioni i ka rekomanduar sërish Këshillit hapjen e Grupit 3", deklaroi Marta Kos.

Vendimi që pritet të merret në ditët në vijim do të tregojë nëse Bashkimi Europian do të vijojë me avancimin e negociatave me Serbinë, apo do të kërkojë prova të mëtejshme për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve europiane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit