Transmetuar më 08-07-2026, 07:24

VANCOUVER, Kanada – Zvicra është çerekfinalistja e fundit e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kolumbinë 4-3 me penallti, pas një ndeshjeje që u mbyll 0-0 në kohën e rregullt dhe pas 120 minutash lojë. Në fazën çerekfinale, helvetët do të përballen me Argjentinën.

Takimi i zhvilluar në stadiumin "BC Place" ishte i luftuar, fizik dhe me pak raste të pastra shënimi. Kolumbia pati më shumë kontroll të lojës në fillim, ndërsa mungesa e sulmuesit Manzambi për shkak dëmtimi ndikoi në repartin ofensiv të Zvicrës.

Pavarësisht kësaj, skuadra e drejtuar nga Murat Yakin krijoi disa situata të rrezikshme, me Granit Xhakën që udhëhoqi mesfushën. Portieri kolumbian Camilo Vargas u detyrua të ndërhynte dy herë me pritje vendimtare për të mbajtur portën të paprekur në pjesën e parë.

Në krahun tjetër, rasti më i mirë për Kolumbinë erdhi nga Gustavo Puerta, ndërsa Luis Díaz zhvilloi një ndeshje nën pritshmëri, pa arritur të regjistronte asnjë goditje në kuadrat.

Edhe pjesa e dytë u karakterizua nga kujdesi i tepruar dhe mungesa e rasteve konkrete. Të dyja skuadrat shmangën rrezikun, duke e çuar sfidën fillimisht në kohën shtesë.

Në 30 minutat shtesë, Kolumbia iu afrua golit me dy raste të mira, ndërsa Zvicra u kundërpërgjigj me një goditje të fortë që u ndal nga Vargas. Momenti më i mirë i ndeshjes erdhi në fund, kur një gabim i Granit Xhakës i dha Jaminton Campaz mundësinë të shënonte i vetëm përballë portierit, por sulmuesi kolumbian e dërgoi topin mbi traversë.

Fituesi u vendos nga pika e bardhë. Kolumbia humbi penalltinë e parë me Sánchez, ndërsa më pas Manuel Akanji gaboi për Zvicrën, duke mbajtur serinë në ekuilibër. Momenti vendimtar erdhi kur Gregorio "Cucho" Hernández u ndal nga portieri Gregor Kobel, ndërsa Ruben Vargas realizoi penalltinë e fitores, duke vulosur suksesin 4-3 të Zvicrës.

Me këtë triumf, Zvicra siguron biletën për në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, ku do të përballet me Argjentinën për një vend në gjysmëfinale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit