Transmetuar më 07-07-2026, 23:08

Tiranë, 7 korrik 2026 – Një shtetas amerikan, 36-vjeçari Andrew Bolland, rezulton i zhdukur prej më shumë se një muaji në Shqipëri, ndërsa familja e tij ka bërë apel për ndihmë për identifikimin e vendndodhjes së tij.

Në një intervistë për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, babai i tij, Arden Bollati, tha se komunikimi i fundit me të birin ka qenë më 21 maj dhe se prej datës 22 maj nuk ka pasur më asnjë informacion të drejtpërdrejtë për të.

Sipas tij, Andrew kishte mbërritur në Shqipëri më 30 prill dhe kishte planifikuar të qëndronte në Tiranë deri më 28 maj, përpara se të kthehej në Shtetet e Bashkuara. Familja dyshon se ai mund të jetë ende në Shqipëri.

Babai tregoi se 36-vjeçari kishte udhëtuar më parë në Europë dhe se gjatë vitit 2024 kishte krijuar një lidhje të veçantë me Shqipërinë, ku kishte qëndruar në Shkodër si vullnetar në një shtëpi pritëse.

“Që nga 22 maji ai është i humbur. Kemi humbur çdo kontakt me të dhe mendojmë se mund të jetë pa ndihmë”, u shpreh babai i tij.

Sipas familjes, para zhdukjes Andrew kishte humbur telefonin, pasaportën dhe të dhënat e aksesit në llogaritë e tij, duke e bërë më të vështirë komunikimin me të afërmit.

Babai i tij tha se gjatë telefonatës së fundit, 36-vjeçari kishte shfaqur shenja ankthi dhe shqetësimi. Ai shtoi se Andrew, i cili është në spektrin e autizmit, preferon një komunikim më të kufizuar social.

Familja ka marrë disa sinjalizime për një të ri me përshkrimin e Andrew në zona të ndryshme të Tiranës dhe në Durrës. Sipas babait të tij, një punonjës i hostelit ku ai kishte qëndruar ka deklaruar se e kishte parë pranë zonës ku zhvilloheshin protestat në Tiranë më 6 qershor.

Gjithashtu janë raportuar sinjalizime të tjera për praninë e tij më 9 dhe 13 qershor, në zona si Lana, Qyteti Studenti dhe Durrësi.

Familja vijon të kërkojë ndihmë nga autoritetet dhe qytetarët për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e Andrew Bolland.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit