

Unë nuk jam dakord!
Nga Mentor Kikia
Të më falin ata që e shijojnë muzikën e tij, por mua nuk më gërric fare. Ndaj, ato 2 eurot që u përkasin taksave të mia, nga 4 milionë që qeveria i dhuroi këtij tipi sot, unë nuk jam dakord t’ia dhuroj.
E para, ky të bëjë koncert sa herë të dojë, si të gjithë këngëtarët. Të paguajë vendin, skenën, të shesë biletat e të fitojë para. Zoti ia shtoftë zërin dhe paratë.
E dyta, u tha se ishte një koncert privat. Por, për të shitur biletat e tij, e gjithë qeveria, parlamenti dhe trupi diplomatik kanë një muaj që janë shndërruar në agjenci shitjeje biletash. Por, po themi se nuk ka ndonjë gjë të keqe këtu.
E treta dhe më e rënda, qeveria ime nxori para nga buxheti rezervë i shtetit, që preket për raste emergjencash e fatkeqësish.
Cila është fatkeqësia në rastin konkret?
Me 4.2 milionë euro mund të kishim blerë një avion zjarrfikës, pasi vetëm këtë fundjavë u dogjën mbi 200 hektarë ullishta e pemëtore në Shqipëri, e zjarrfikësit mbetën me degë pemësh në duar. Do të isha dakord që jo 4.2, por 14 milionë të nxirreshin nga fondi rezervë për këtë punë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






