

7 korrik 2026 – Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, ka reaguar ashpër pas humbjes dramatike ndaj Argjentinës, duke ngritur akuza për mënyrën se si u zhvillua ndeshja e vlefshme për Kupën e Botës.
Në konferencën për shtyp pas sfidës, Hassan deklaroi se beson se rezultati është ndikuar nga vendimet e gjyqtarit dhe ndërhyrjet e VAR-it, duke pretenduar se skuadra e tij nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë.
“Do të them atë që kam në mendje, pavarësisht pasojave. Kjo ishte qartësisht një ndeshje e manipuluar dhe e gjithë bota e pa”, u shpreh trajneri egjiptian.
Ai kritikoi disa vendime të marra gjatë ndeshjes, duke përmendur anulimin e një goli dhe një situatë të diskutueshme në zonën e rreptësisë.
“Një penallti u anulua, e cila duhej të ishte rishikuar nga VAR-i, ndërsa goli i dytë u anulua për një arsye që nuk e kuptojmë. Pse nuk ka drejtësi në futboll?”, deklaroi Hassan.
Trajneri egjiptian vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, duke thënë se lojtarët largohen me kokën lart pavarësisht eliminimit.
“Nuk jam i bindur nga ky rezultat dhe nga mënyra se si u zhvillua ndeshja. Na trajtuan padrejtësisht, por jam krenar për lojtarët e mi”, tha ai.
Hassan kritikoi gjithashtu orarin e zhvillimit të ndeshjes, duke e cilësuar të papërshtatshëm zhvillimin e një sfide në mesditë, ndërsa deklaroi se nuk do të ndjekë më ndeshjet e këtij Botërori si formë proteste ndaj asaj që ai e cilësoi mungesë besueshmërie.
Argjentina siguroi kualifikimin në çerekfinale pas një përmbysjeje 3-2 ndaj Egjiptit, me golin vendimtar të shënuar në minutat shtesë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






