

Tiranë, 7 korrik 2026 – Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, gazetari Osman Stafa, ngriti shqetësime mbi prioritetet e përdorimit të fondeve publike, duke krahasuar financimin e një koncerti me mungesat e raportuara në sistemin shëndetësor.
Stafa lexoi para protestuesve mesazhin e një pacienteje me kancer gjinekologjik, e cila pretendon se nuk ka mundur të kryejë trajtimin e brakiterapisë në Shqipëri për shkak të problemeve me aparaturat, ndërsa më pas është trajtuar jashtë vendit.
Sipas dëshmisë së lexuar nga gazetari, pacientja ka shprehur shqetësimin se shteti ka gjetur fonde për organizimin e një koncerti, ndërsa për trajtimet mjekësore që mund të ndihmojnë pacientët me sëmundje të rënda ka pasur mungesa.
“Jam një grua që vuaj nga kanceri gjinekologjik. Kur duhet të bëja brakiterapinë më thanë se nuk punon. Sot mësova se shteti gjeti 4 milionë euro për një koncert, por për mua nuk e gjeti dot trajtimin”, ishte pjesë e mesazhit të pacientes të lexuar nga Stafa.
Gazetari kritikoi mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke argumentuar se investimet duhet të orientohen edhe drejt pajisjeve dhe shërbimeve shëndetësore.
“Me këto fonde do të mund të siguroheshin pajisje dhe medikamente që janë të nevojshme për pacientët me kancer”, deklaroi Stafa gjatë fjalës së tij para protestuesve.
Debati mbi përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit për financimin e koncertit të artistit Kanye West ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe politike, me kërkesa për transparencë mbi vendimmarrjen dhe prioritetet e shpenzimeve publike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






