Transmetuar më 07-07-2026, 20:55

Tiranë, 7 korrik 2026 – Nënë e bijë, të mbijetuara të aksidentit të rëndë të ndodhur më 30 qershor në autostradën Tiranë–Durrës, vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Greqi, pasi pësuan dëmtime të rënda që çuan në amputimin e gjymtyrëve.

Në një intervistë për RTSH, Ornela Lazaj, vajza dhe motra e të plagosurave, rrëfeu se të afërmet e saj po udhëtonin nga Greqia drejt Beratit për të marrë pjesë në përkujtimin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të xhaxhait të saj.

Sipas saj, familja humbi kontaktet me to gjatë udhëtimit të kthimit dhe mësoi për aksidentin fillimisht përmes raportimeve në media. Më pas, të afërmit në Shqipëri i gjetën në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.

Ornela Lazaj bëri të ditur se motra e saj ka humbur këmbën e djathtë dhe ka pësuar dëmtime të rënda edhe në këmbën e majtë, ndërsa nëna ka humbur këmbën e majtë dhe ka marrë dëmtime në kraharor. Të dyja ndodhen aktualisht në një spital privat në Greqi, ku vijojnë trajtimin.

Ajo shtoi se motra pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale, ndërsa mjekët nuk përjashtojnë mundësinë e një amputimi të mëtejshëm për shkak të dëmtimeve të rënda në shputën e këmbës.

Familjarja tregoi gjithashtu se nëna dhe motra vazhdojnë të jenë të traumatizuara psikologjikisht nga aksidenti. Sipas rrëfimit të tyre, autobusi humbi kontrollin dhe barriera mbrojtëse depërtoi në brendësi të mjetit, ndërsa pasagjerët përjetuan momente paniku.

Ajo falënderoi gjithashtu qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për dhurim gjaku, duke theksuar se ndihma e tyre u sigurua në një kohë shumë të shkurtër dhe ishte vendimtare për trajtimin e të plagosurave.

Aksidenti i 30 qershorit në autostradën Tiranë–Durrës i mori jetën drejtuesit të autobusit dhe la të plagosur 12 pasagjerë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit