Transmetuar më 07-07-2026, 20:23

Ermelinda Meksi kërkon transparencë për fondin prej 4.2 milionë eurosh: Kuvendi të ushtrojë kontroll mbi aktin normativ

Tiranë, 7 korrik 2026 – Ish-ministrja e Financave dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka kërkuar transparencë dhe kontroll parlamentar mbi aktin normativ që parashikon financimin e koncertit të artistit Kanye West me 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, Meksi thekson se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kontroll mbi këtë vendimmarrje dhe të verifikojë nëse janë plotësuar kriteret e "nevojës" dhe "urgjencës" për përdorimin e fondit rezervë.

Sipas saj, qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse përdorimi i këtyre fondeve është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

"Kuvendi, si organi që ushtron kontrollin parlamentar dhe shqyrton aktet normative të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësinë të verifikojë nëse janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e fondit rezervë", shprehet Meksi.

Ish-ministrja nënvizon se publikimi i aktit normativ e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën ligjore të vendimmarrjes dhe arsyet që kanë justifikuar përdorimin e fondit rezervë.

Ajo thekson se një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është i nevojshëm për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e financave publike.

Në përfundim të reagimit, Meksi shprehet se çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë i ligjshëm, i arsyetuar dhe proporcional, duke theksuar se vetëm një proces transparent dhe i bazuar në Kushtetutë e ligj garanton mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit