

Shkodër, 7 korrik 2026 – Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për katër efektivët e Njësisë së Sigurisë Kombëtare (FNSH), të arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në lidhje me arratisjen e Hasan Verracakut nga masa e sigurisë "arrest në shtëpi".
Vendimi u mor gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, duke i lënë efektivët të hetohen në gjendje të lirë për veprën penale të dyshuar "shpërdorim i detyrës".
Nën hetim janë inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj, si dhe punonjësi i policisë Ridvan Zefi. Sipas AMP-së, ata dyshohet se nuk kanë ushtruar në mënyrë të rregullt detyrën për mbikëqyrjen e Hasan Verracakut, duke krijuar mundësinë që ai të largohej nga banesa ku qëndronte në zbatim të masës së sigurisë.
Ndërkohë, Prokuroria ka regjistruar procedim penal edhe ndaj Hasan Verracakut për veprën penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", pasi dyshohet se ka shkelur kushtet e përcaktuara nga gjykata për masën e "arrestit në shtëpi".
Hasan Verracaku është një nga personat nën hetim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Velipojë në qershor të vitit 2021, ku humbën jetën katër persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Pas përfundimit të afateve të paraburgimit, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë "arrest në shtëpi", ndërsa mbahej nën mbikëqyrje 24 orëshe nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






