Transmetuar më 07-07-2026, 16:46

Një zhvillim i ri ka shënuar hetimet për atentatin me bombë të ndodhur javën e kaluar në Monako, ku mbeti i plagosur rëndë një biznesmen me origjinë ukrainase. Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se e dyshuara kryesore për sulmin është gjetur e vrarë pranë Kievit, ndërsa janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në çështje, mes tyre një oficer i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës (HUR).

Prokuroria ukrainase njoftoi se 39-vjeçarja Anastasiia Berezovska u gjet e pajetë me një plagë plumbi në kokë. Vetëm pak ditë më parë, Interpol kishte lëshuar ndaj saj një njoftim të kuq, pasi kërkohej nga autoritetet e Monakos nën dyshimet për tentativë vrasjeje, vendosje të një mjeti shpërthyes në një vend publik dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Sipas prokurorëve, Berezovska dyshohet se kishte marrë pagesa në kriptomonedha nga dy personat e arrestuar, çka ka ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në organizimin e atentatit. Prokuroria shtoi se oficeri i HUR-it dyshohet se ka vepruar me iniciativë personale, pa autorizimin apo dijeninë e eprorëve të tij.

Gjatë kontrolleve në pronat e të arrestuarve, autoritetet thanë se zbuluan një ambient që e cilësuan si "dhomë torture", ku u sekuestruan çekiçë dhe pajisje të tjera. Megjithatë, **The Guardian** thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e prokurorisë ukrainase.

Hetimet mund të kenë edhe pasoja politike. Çdo provë që do të lidhte pjesëtarë të shërbimeve sekrete ukrainase me një atentat në territorin e një vendi evropian do të përbënte një zhvillim me ndikim diplomatik, në një kohë kur Ukraina vijon të kërkojë mbështetje nga aleatët perëndimorë përballë agresionit rus.

Sulmi u dënua edhe nga Princi Albert II i Monakos, i cili e cilësoi atë si "një akt të neveritshëm" dhe deklaroi se të gjitha strukturat e sigurisë së principatës janë angazhuar në zbardhjen e ngjarjes.

Megjithëse autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e viktimave, burime policore dhe gjyqësore të cituara nga mediat franceze thanë se objektiv i atentatit ishte biznesmeni 58-vjeçar Vadym Iermolaiev, me origjinë ukrainase dhe shtetësi qipriote. Së bashku me të u plagosën rëndë edhe partnerja e tij, ndërsa djali i çiftit pësoi lëndime të lehta.

Sipas hetuesve francezë, Berezovska, e cila jetonte në Gjermani, dyshohet se ishte maskuar si burrë përpara se të vendoste mjetin shpërthyes në hyrje të pallatit ku banonte familja në Monako. Pas sulmit, ajo dyshohet se u largua në këmbë drejt Francës dhe më pas udhëtoi me automjet nëpër disa vende evropiane deri në Gjermani.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivin e atentatit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë. Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit