Transmetuar më 07-07-2026, 16:06

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar këtë të hënë operacionin e koduar “Basti i Fundit”, duke goditur një aktivitet të dyshuar të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive në zonën e Fushë-Krujës.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u ushtruan në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit Ahmet Stafuka në vendin e quajtur “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës, pas informacioneve të siguruara nga strukturat e Inteligjencës Operative të AMP-së.

Gjatë operacionit, efektivët sekuestruan katër pajisje elektronike kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit, katër monitorë, si dhe pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të cilat dyshohet se shërbenin për ushtrimin e basteve sportive të paligjshme.

AMP bën të ditur se janë duke u kryer veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar, identifikimin e personave të përfshirë, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje të punonjësve të Policisë së Shtetit ose subjekteve të tjera që janë në fushën e mbikëqyrjes së Agjencisë.

Njoftimi i AMP:

Goditet aktivitet i dyshuar i paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive

Sot, më datë 07.07.2026, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, bazuar në informacionin e siguruar nga strukturat e Inteligjencës Operative të Agjencisë, ka ushtruar kontroll në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit A.S, në vendin e quajtur “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës. Gjatë kontrollit të ushtruar në këto ambiente janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: – 4 pajisje elektronike kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit; – 4 monitorë; – pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike, të dyshuara se përdoreshin për organizimin dhe ushtrimin e basteve sportive të paligjshme. Nga strukturat kompetente të AMP-së po kryhen veprimet e para hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, identifikimin e personave të përfshirë në organizimin dhe ushtrimin e tij, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje nga punonjës të Policisë së Shtetit apo subjekte të tjera të fushës së veprimit të Agjencisë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi të përfshirë.

AMP mbetet e angazhuar në evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që favorizohet, tolerohet apo mbështetet nga punonjës të strukturave që janë subjekt i mbikëqyrjes së saj, duke garantuar hetim të paanshëm, profesional dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit